Ylli Polar është ylli më i ndritshëm në yjësinë e Arushës së Vogël. Yllin polar mund ta quajmë edhe ylli alfa i Arushës së vogël, sepse është ylli më i ndritshëm i kësaj yjësie.
Ai gjendet pothuajse saktësisht në zgjatimin e vijës imagjinare që bashkon Polin e Jugut me Polin e Veriut të Tokës. Për këtë arsye ka qenë dhe është ende një udhërrëfyes shumë i rëndësishëm. Udhetarët e kanë përdorur për t’u orientuar dhe për të gjetur Veriun.
A është plotësisht e drejtë të mendojmë se boshti i Tokës ruan pozicionin e tij në hapësirë dhe shikon gjithmonë nga Ylli Polar?
Jo, nuk është plotësisht e drejtë.
Vështroni edhe një herë fugën rrotulluese, këtë model të vogël të rruzullit tokësor. Boshti i saj ruan shumë mirë pozicionin e tij gjatë rrotullimit, si rrjedhim ajo nuk bie. Kur fuga rrotullohet, ju vini re se boshti përshkruan një figurë që i ngjan hinkës të kthyer me kokë poshtë.
Është vërtetuar se boshti i rruzullit tokësor (i këtij xhiroskopi gjigant) e ndryshon shumë ngadalë drejtimin e tij në hapësirën qiellore.
Ai përshkon në hapësirë dy kone gjigante, kulmet e të cilave bashkohen në qendër të Tokës. Një lëvizje e tillë kryhet për një periudhë shumë të gjatë kohe, për 26 mijë vjet.
Prandaj boshti i Tokës jo gjithmonë ka shikuar nga Ylli Polar. “Poli i Botës” vazhdimisht ndryshon pozicionin e tij në qiell.
Do të kalojnë mijëvjeçarë dhe Ylli Polar nuk do të ndodhet më mbi Polin e Veriut. Pra ai nuk do të jetë më “polar”.
Pas 12 mijë vjetësh, boshti tokësor do të ketë përshkruar afro gjysmën e konit të tij 26-mijëvjeçar dhe do t’i jetë drejtuar yllit të dukshëm Vega (në yllësinë e Lirës). Atëherë ylli Vega do të jetë për Tokën “yll polar”.
Por do të kalojnë edhe 14 mijë vjet. Boshti i Tokës do ta përshkojë gjithë konin dhe do të kthehet në pozicionin e tanishëm. Ai përsëri do të jetë drejtuar nga Ylli Polar, në yllësinë e Arushës së Vogël.
Një lëvizje të tillë kozmike bën Toka së bashku me ne. Ketu del qarte se sa e ndërlikuar është tabloja e lëvizjeve shumëformëshe në gjithësi!

You must be logged in to post a comment Login