Si të mos admirosh qiellin kur yjet shëndrijnë në netët e kthjellta! Ai nuk është vetëm i bukur, po edhe madhështor. Në të sheh kostelacionet dhe gjithësinë e pafund, në të cilën planeti ynë, Toka jonë, nuk është veçse një pjesëzë shumë e vogël.
Me sy të zhveshur, në qiell mund të shohësh rreth 5500 yje. Me anë të teleskopit me fotokamerë (astrograf) shihen mbi 500 milion. Po sa e sa yje ka që nuk shihen as me teleskop!
Çdo yll është një trup qiellor vigan, që lëshon dritë vetë, si Dielli. Vetëm se yjet ndodhen shumë larg nesh. Shumë yje janë më të mëdha se Dielli. Ka nga ato që janë miliona e miliarda herë më të mëdha se ai. Ylli më i afërt me Tokën është 4.3 vjet drite larg saj. Një vit drite është largësia që përshkon drita për nje vit me shpejtësinë 300.000 kilometra në sekondë, domethënë 9500 miliard kilometra. Drita largësinë nga Dielli deri në Tokë drita e përshkon brenda tetë minutash.
Është interesante se ne mund të shohim edhe yje që nuk ekzistojnë më. Nëqoftëse një yll, që ndodhet 1000 vjet drite larg nesh, shuhet, rrezet e fundit të dritës së tij kanë për të ardhur te ne 1000 vjet pasi të jetë shuar ai. Në këtë mënyrë, gjithësia na jep mundësi të shohim sot fenomene që kanë ndodhur në thellësitë e saj në një të kaluar të largët.
Sa jetojne yjet
Temperatura e sipërfaqes së yjeve është shumë e madhe. Nga 3000 gradë në yjet më të ftohta, deri në 500.000 gradë në yjet më të nxehta. Dielli ynë është yll i ftohtë në krahasim me të tjerat, temperatura e sipërfaqes së tij është 6000 gradë.
Duke pasur një temperaturë kaq të lartë, yjet rrezatojnë pareshtur në hapësirën kozmike energji drite. Humbjet e energjisë së rrezatimit plotësohen me energjinë bërthamore, që prodhohet në thellësi të vetë këtyre yjeve, në saje të reaksioneve temobërthamore të shndërrimit të hidrogjenit në helium.
Sasia e madhe e hidrogjenit që përmbajnë yjet, siguron ndriçimin e tyre për shumë miliarda vjet. Kështuqë yjet kanë një jetë mjaft të gjatë, po ato nuk janë të përjetshme. Cdo yll kalon ciklin e vet të jetës, që fillon nga ndezja “lindja” e mbaron me shuarjen “vdekjen”. Në gjithësi ka yje që sapo “lindin”, ka edhe nga ato që shuhen e shndërrohen në trupa kozmikë pa dritë.
Nga forca e dritës së tyre yjet ndahen në klasa. Ato yje që nuk mund të dallohen me sy të zhveshur, është bërë zakon të quhen yje të madhësisë së gjashtë. Kur drita e tyre është 2.5 herë më e fortë ato quhen yje të madhësisë së pestë. Ndërsa kur kanë një dritë 2.5 herë më të dobët, quhen yje të madhësisë së shtatë.
Yjet grupohen ne kostelacione
Për t’u orientuar më lehtë në gjithë atë mori yjesh, që në kohërat më të lashta, të gjitha yjet që dukeshin me sy i kishin ndarë në grupe, që quhen kostelacione. Çdo grupi yjesh i jepej një emër i marrë nga mitologjia si Andromeda, Orioni, etj. Ose nga jeta e përditshme Peshorja, Lira, ose nga bota e kafshëve Ujku, Shqiponja,etj. Shumica e këtyre emrave janë ruajtur edhe tani.
Në bazë të kostelacioneve mund të përcaktohet koha dhe anët e horizontit. Kostelacionet janë si orientues kozmikë, që na ndihmojnë të gjejmë në kupën giellore planetët, kometat, yjet, mjegullnajat dhe objektet e tjera kozmike, si dhe për të gjetur se ku ndodhen satelitët artificialë e për të ndjekur lëvizjen e tyre.
Me fjalë të tjera, kostelacionet janë si vendet e ndryshme në rruzullin tokësor. Ne gjithnjë e përfytyrojmë vendin ku ndodhin këto ose ato ngjarje në Tokë. Po kështu mund të merret me mend se në ç’zonë të kozmosit, në ç’kostelacion, ndodh ky ose ai fenomen kozmik.
Pingback: Si i kanë marrë emrat e tyre yjet? | AstroAlb Astronomy