Ndërsa ngjitej ngadalë përgjatë shpatit të malit të lartë Mount Sharp një majë mbresëlënëse brenda kraterit Gale në Mars roveri Curiosity i NASA-s ka bërë një zbulim të jashtëzakonshëm: depozita të mëdha karboni të mbërthyera brenda mineraleve karbonatike të pasura me hekur. Ky zbulim mund të jetë një nga pjesët kyçe në misterin për jetën e lashtë në Planetin e Kuq.
Mineralet karbonatike formohen kur dioksidi i karbonit reagon me ujin dhe shkëmbinjtë, duke i bërë ato dëshmitarë të rëndësishëm të kushteve të kaluara mjedisore. Shkencëtarët i kanë vërejtur këto minerale edhe më parë në Mars nga roverë në sipërfaqe, sonda orbitale në hapësirë dhe madje edhe nga meteorite marsiane që kanë rënë në Tokë por të dhënat e fundit nga Curiosity sjellin detaje të reja dhe mjaft emocionuese.
“Kjo na tregon se planeti ka qenë i banueshëm dhe se modelet tona për banueshmërinë janë të sakta,” u shpreh autori kryesor i studimit, profesori Ben Tutolo nga Universiteti i Calgary në një deklaratë. Mineralet e zbuluara nga roveri besohet të jenë formuar në kushte shumë të thata përmes reaksioneve kimike mes ujit dhe shkëmbinjve, të ndjekura nga avullimi. Kjo tregon për një periudhë kur Marsi kishte një atmosferë mjaft të trashë, të pasur me dioksid karboni, për të mbështetur ujin e lëngshëm në sipërfaqe. Por me kohë, kur atmosfera u hollua, dioksidi i karbonit filloi të shndërrohej në shkëmbinj.
Një mineral veçanërisht i veçantë i zbuluar është sideriti, një karbonat i pasur me hekur, i gjetur në sasi befasuese mes 5 dhe 10% në peshë bashkë me kripëra që treten lehtë në ujë. “Implikimet janë të gjera planeti ka qenë i banueshëm deri në këtë periudhë, por më pas, meqë CO₂ që e mbante planetin të ngrohtë filloi të shndërrohej në siderit, kjo ndoshta ndikoi në aftësinë e Marsit për të qëndruar i ngrohtë,” shtoi Tutolo.
Çfarë e bën këtë zbulim edhe më intriguese është prania e hekur-oksihidroksideve në të njëjtat depozita. Këto minerale sugjerojnë se Marsi mund të ketë pasur një qarkullim karboni funksional i ngjashëm me atë të Tokës ku një pjesë e dioksidit të karbonit të mbërthyer në shkëmbinj rikthehej sërish në atmosferë. Duke krahasuar gjetjet e Curiosity-t me të dhënat orbitale, shkencëtarët besojnë se shtresa të ngjashme në të gjithë planetin mund të kenë kapur deri në 36 milibarë dioksid karboni atmosferik mjaftueshëm për të ndikuar ndjeshëm klimën e Marsit.
Ky zbulim lidhet ngushtë edhe me kërkimet që po bëhen në Tokë. Tutolo tregon se është duke eksploruar mënyra për të luftuar ndryshimet klimatike përmes shndërrimit të CO₂ të shkaktuar nga njerëzit në minerale karbonatike të qëndrueshme duke e mbërthyer karbonin në formë shkëmbi, njësoj siç ka ndodhur natyrshëm në Mars.
“Ajo që po përpiqemi të bëjmë në Tokë për të luftuar ndryshimet klimatike është diçka që ndoshta natyra e ka bërë tashmë në Mars,” thotë ai. “Të mësosh për mekanizmat që formojnë këto minerale në Mars na ndihmon të kuptojmë më mirë se si mund ta bëjmë këtë edhe këtu. Dhe studimi i rënies së Marsit nga ditët e tij të ngrohta dhe të lagështa na tregon se banueshmëria është një gjë shumë e brishtë.”
AstroAlb Astronomy
Platforma për hulumtime dhe lajme nga astronomia dhe shkenca planetare.
📡 Ndiqni për më shumë zbulime nga universi.

You must be logged in to post a comment Login